A do vdesë Evropa e amerikanizuar?

nga Raffaele Sciortino

Burimi: endnotes

Cila është sot gjendja e marrëdhënieve transatlantike, në kontekstin e konfliktit në Ukrainë dhe hijes së një përballjeje të mundshme SHBA-Kinë? Ravijëzimi i kontureve të përgjithshme dhe zhvillimeve të mundshme nuk është i thjeshtë, së pari për shkak të kompleksitetit të faktorëve të përfshirë, dhe së dyti, ngaqë njëri nga dy polet e marrëdhënies nuk përbën një entitet të unifikuar. Çfarëdo që të përfaqësojë sot politikisht apo simbolikisht Bashkimi Evropian (BE), ai nuk është një shtet, dhe nuk mund të zëvendësoje sovranitetin e cunguar politik dhe ushtarak - që prej Luftës së Dytë Botërore - të motorit të tij ekonomik, Gjermamnisë. BE ekziston si një hapësirë përplasjeje interesash transatlantike, por dhe mes vetë vendeve të Evropës, dhe një nga çështjet e hapura është kriza e përgjithshme e rendit ndërkombëtar që prej krizës financiare të vitit 2008.

Sidoqoftë, kur adresojmë këtë temë duhen pasur parasysh dy elemente, për të cilat nuk mund të thellohemi në këtë shkrim. Së pari, SHBA ja ka dalë deri më tani të shmangë reçesionin ekonomik pas ringritjes post-COVID, falë subvencioneve masive ndaj biznesit (politika e njohur si Bidenomics) si dhe falë eksporteve energjitike drejt BE-së (si një prej dividendëve të luftës në Ukrainë). Nuk mund të themi me siguri nëse kjo politikë industriale do ja dalë të nxisë ri-industrializimin e SHBA dhe rehabilitimin e një kompromisi social, shpërbërja e të cilit ishte shkaku real i trumpizmit. Në fakt, gjasat janë që ndërthurrja me luftën ekonomiko-teknologjike me Kinën do krijojë një lloj të ri "ekonomie lufte".1 Së dyti, dhe si rrjedhim i të parës, konflikti me Moskën do sjellë pasoja shtesë për BE, ngaqë gjasat janë që një "Evropë pa Rusinë do çonte drejt një Evrope pa Kinën"2.

Kurthi i Ukrainës

Përmes luftës në Ukrainë, Uashingtoni i dha një goditje të fortë Rusisë, agresioni ushtarak i së cilës ishte në fakt një lëvizje reaktive dhe mbrojtëse. Cilido qoftë rezultati i konfliktit ushtarak, ai ka shënuar gjithashtu një kthesë në raportet transatlantike.

Pyetja që shtrohet është përse SHBA po godet kaq fortë Moskën ndërkohë që mobilizimi anti-Kinë është gjithnjë e në rritje? Taktikisht, është e mundur që Uashingtoni thjesht të ketë shfrytëzuar rastin, në kuadër dhe të zgjerimit shumëvjeçar të NATO-s drejt lindjes. Por qëllimi strategjik është më i hershëm: kontroll i dyfishtë i Rusisë dhe Gjermanisë. Moska, si armik ose rival, varësisht periudhës, duhet mbajtur jashtë Evropës përmes izolimit; Berlini, si "aleat", duhet mbajtur nën presion të vazhdueshëm përmes kërcënimit Rus, sado i fryrë, i sajuar apo i provokuar. Pikëpamjen e Halford Mackinder - mendimi gjeopolitik i të cilit është alfa dhe omega e qasjes strategjike amerikane - e shohim në zbatim: një aleancë "Euro-aziatike" mes Gjermanisë dhe Rusisë duhet shmangur me çdo kusht. Kjo është edhe me e rëndësishmë sot, me projektimin e mundshëm kundër Kinës, e cila paraqet një kërcënim serioz ndaj dominimit global të dollarit.

Në fakt, falë këtij konflikti, Uashingtoni i ka dhënë një goditje të rëndë edhe politikës energjitike të BE-së, duke detyruar shkëputjen totale nga burimet ruse dhe duke pamundësuar ndërlidhjet tregtare dhe prodhuese me Moskën për industrinë gjermane, dhe rrjedhimish edhe atë italiane. Ky kombinim dëmton rëndë strukturën industriale evropiane, dhe favorizon përpjekjet amerikane për të rikthyer një pjesë të prodhimit në shtëpi.

Megjithatë, duke parë performancën jo të kënaqshme të Ukrainës në fushëbetejë, Uashingtoni po ndryshon strategjinë ushtarake drejt një konsolidimi të linjave mbrojtëse në frontin ukrainas, ndërkohë që përpiqet të forcojë potencialin ushtarak të Kievit duke i mundësuar të godasë brenda territorit rus. 3 Qëllimi është një farë lufte guerrile e zgjatur që do dobësonte aftësitë ushtarake të Rusisë si dhe stabilitetin e saj të brendshëm. 4 Këtu hyn në lojë programi i "evropianizimit" të kostove të konfliktit, çka do i mundësonte Uashingtonit t'i përkushtohej me qetësi frontit te Azisë Lindore. Këto kosto nuk do jenë thjesht financiare, siç kanë qenë deri më tani, por edhe ushtarake. Deklaratat butaforike të Macron rreth nevojës për trupa ushtarake evropianë në frontin ukrainas mund të duken jobindëse për momentin, por ato sinjalizojnë një tendencë: Rusia nuk mund të mposhtet pa ndërhyrje direkte të NATO-s, dhe vendet evropiane duhet të fillojnë ta kuptojnë këtë.

Ç'do ndodhë me BE?

Në këtë mënyrë, aspiratave evropiane për autonomi më të gjerë në skenën ndërkombëtare duket se u është vënë kapaku. Kapitullimi i shpejtë i klasave sunduese evropiane ndaj diktatit të Uashingonit rreth cështjes së Ukrainës mund të shpjegohet përmes një serie faktorësh disi të çuditshëm: përplasjet e brendshme në BE, të shfrytëzuara nga vendet e Evropës Lindore, përftuese oportuniste të fondeve dhe lëvizjes së lirë; fragmentimi i procesit vendimmarrës; inkoherencat e Francës, gjithmonë e lumtur për çdo dëm që i shkaktohet Berlinit; dobësimi i lidershipit gjerman pas ikjes së Angela Merkel. Evropianizimi i një numri në rritje procesesh, normash dhe institucionesh jo vetëm që ka dështuar të krijoje "kampionë kompetitivë" evropianë në tregun botëror, por ka pasur efektin e kundërt: dobësimin e autonomisë së Gjermanisë dhe Francës, duke i mbërthyer në një rrjetë bashkë me vendet e Evropës Lindore, vasalë të bindur të Uashingtonit.5 Vetë Komisioni Evropian nuk është gjë tjetër veç se një fushëbetejë mes ndërhyrjeve amerikane - të mbështetura nga sektorë të konsiderueshëm të klasave politike dhe borgjezisë evropiane - dhe forcave që, teorikisht, synojnë një autonomi më të madhe të mbështetur në aksin franko-gjerman. Këta të fundit kanë marrë një goditje të fortë pas paaftësisë së shfaqur në menaxhimin e problemit ukrainas, rënies ekonomike (me Gjermaninë në reçension për herë të parë që prej 2009), si dhe zgjedhjeve të vështira në raport me pozicionimin strategjik ndaj Rusisë, siç janë çështjet e riarmatimit (mbështetur në industrine evropiane apo në blerjet nga SHBA?), aftësisë parandaluese (umbrella bërthamore franceze e zgjeruar drejt Gjermanisë apo mbrojtje nga SHBA?) dhe influencës politike mbi Evropën Lindore (deri më sot e përfshirë në sferën ekonomike gjermane). Pasiviteti shoqëror i popullsive evropiane plotëson tablonë, ku ngritja elektorale e forcave politike konservatore apo euro-skeptike (më saktë, euro-oportuniste) ishte pasoja dhe jo shkaku.

Kjo nuk duhet të na shpërqendrojë nga fakti se, përtej fasadës së unanimitetit kundër Rusisë, loja është ende e hapur, veçanërisht nëse Rusia ja del të korrë një farë suksesi ushtarak në terren. Mbetet për tu parë se sa në gjendje do jetë Uashingtoni për t'i tërhequr fijet aleatëve të tij evropianë. Një zhvillim jo fort i favorshëm për të ka qenë humbja e mbështetjes që gëzonte SHBA në pjesë të mira të shoqërive evropiane, të cilat e ndjejnë direkt në xhepa koston e nënshtrimit atlanticist të qeverive të tyre. Nuk e kishte menduar kush se Biden do na bënte të na merrte malli për Trump! Në ç'rrethana do mund të ktheheshin këto krisje në kontradikta reale?

Problemi gjerman

Në veçanti, loja duket ende e hapur ne Berlin. Se jashtmi, si dhe së brendshmi, rendi pro-Atlantik (kundër Putinverstehers dhe shprehjes së solidaritetit me Palestinën) sundon qartazi. Megjithatë, sektorë të borgjezisë industriale janë shprehur në mënyrë kritike rreth kostove asimetrike të luftës këto dy vitet e fundit. Pëlhura sociale, siç duket nga mobilizimet e kohëve të fundit, po shfaq shenja krisjeje për shkak të përkeqësimit të gjendjes ekonomike si dhe pasigurisë mbi të ardhmen, dhe konsensusi politik tradicional po rrezikohet nga tendencat neopopuliste, të majta dhe të djathta, të fuqizuara dhe nga fundit i iluzionit të një prosperiteti të mbrojtur nga turbullirat globale.6 Është e qarte tashmë se elitat politike gjermane janë të paafta t'i japin kuptim gjeopolitik fiaskos së tyre ekonomike përveç se në termat e një "pasiviteti të organizuar" 7 përballë diktatit anglo-amerikan (ku një pjesë e mirë e klasës politike dhe opinionit publik i kanë brendësuar komandat e SHBA-MB). Ndaj dhe qeverisë së Scholz i është dashur shpesh herë të marrë mbrapsht deklaratat ngurruese ndaj presionit të NATO-s për përfshirje më të madhe ushtarake dhe financiare në Ukrainë (si për shembull refuzimi, deri më tani, për të dërguar raketat Taurus në Ukrainë, dhe vetoja e Scholz ndaj "amerikanes" Von der Leyen si kandidatja e NATO-s). Ndaj dhe heshtja rreth sabotazhit flagrant, por "miqësor", të gazsjellësit Nord Stream. Ndaj dhe kontrolli strikt i medias së brendshme, për të shmangur çdo akuzë të mundshme për mosbesnikëri ndaj rendit Atlanticist. Fjalimi i shumëpërfolur i Zeitenwende nuk ka rezultuar deri më tani në një kthesë definitive luftarake anti-ruse, dhe në të njejtën kohë, hapësira për kompromise à la Merkel është tkurrur drastikisht.

Situata është gjithashtu kritike në frontin ekonomik. Pavarësisht se ekonomitë evropiane mbetën pas në raport me SHBA pas krizës së vitit 2008, të rënduara dhe nga kriza e borxhit sovran, ekonomia gjermane ja doli të forcohej duke përqendruar rreth vetes zinxhirët prodhues, dhe kështu duke mundësuar surpluse tregtare si me vendet e BE-së 8 ashtu dhe me SHBA-në. Por kjo nuk do kishte qenë e mundur pa marrëdhënien gjithmonë e më të ngushtë me Kinën dhe energjinë e lirë nga Rusia.

Në terma tregtarë, SHBA mbetet importuesi më i madh i mallrave gjermanë, rreth 30% më i madh se Kina9, dhe partneri kryesor tregtar evropian, veçanërisht në shërbime. Por Kina ndjek nga pas me rreth 15% të tregtisë totale evropiane10. Është burimi kryesor i importeve në Gjermani11 dhe në BE12. Brenda unionit, marrëdhënia e privilegjuar mes Pekinit dhe Berlinit është konsoliduar në të dy drejtimet, tashmë përgjegjëse për mbi 1/4 e tregtisë së përgjithsme të BE-së, me BMW, Mercedes e Volkswagen që shesin pothuajse 50% të automjeteve në tregun kinez. Pekini është partneri kryesor tregtar i Berlinit (importe + eksporte), dhe më e rëndësishmja, tregu me perspektivën më të mirë për rritje, në e lejofshin sanksionet amerikane.

Në shifra investimesh të jashtme direkte (FDI), Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kryesojnë në BE, ashtu si dhe në botë, në të dyja drejtimet (si shembull, më të larta se investimet Gjermane në France vitin që shkoi, me Holandën, Luksemburgun dhe Irlandën si baza ekspansioni drejt vendeve të tjera13), si dhe në stoqe14. Të ardhurat e shumëkombsheve amerikane në Evropë - rreth 4 herë më të mëdha se gjithë volumi tregtar - mbushin hendekun e defiçitit tregtar15. Dhe kjo pa llogaritur superioritetin e firmave amerikane në shpenzime për kërkime shkencore (R&D), degët e industrisë së lartë (ku Evropa është krahasimisht e prapambetur në fushën digjitale dhe atë të armatimeve) dhe veçanërisht aksesi në likuiditet financiar dhe mbështetje politike. Gjermania, nga ana e saj, e ka rritur ndjeshën orientimin e jashtëm në këtë fushë, sidomos pas krizës së 2008. Në shifra absolute, investimet e saj jashtë vendit ishin diçka më pak se gjysma e investimeve të SHBA, por me trend rritës deri në 2022 (në kontrast me investime e jashtme në Gjermani, sa gjysma e të mëparshmeve, të cilat në 2023 ranë në nivelin më të ulët në dy dekada 16). Ky trend është edhe më i theksuar në investimet gjermane në SHBA (që përfaqësojnë 1/3 e investimeve të Gjermanisë jashtë vendit, dhe megjithëse manifaktura nuk është në plan të parë, ajo është më shumë se gjysma e investimeve reciproke të SHBA në Gjermani 17).

Pra, ideja është që Gjermania nuk mund te heqë dore, dhe nuk po heq dorë nga investimet në Kinë, ndryshe nga ç'po bën SHBA18. Të dhënat flasin vetë: investimet direkte gjermane në Kinë në 2020 përbënin 7% të investimeve të jashtme totale (krahasuar me 34% në vendet e BE dhe 27% në SHBA), ndërsa në 2022 ato u rritën me më shumë se 50%, dhe në 2023 u rritën me 4%; në të njejtën kohë shohim një rënie të investimeve perëndimore në Kinë19, si dhe të investimeve Gjermane në pjesën tjetër të botës.20 Kështu Kina tanimë mban stokun e dytë më të madh të investimeve gjermane jashtë vendit, pas SHBA21 - por është më e rëndësishme për sektorin e automobilëve22, dhe me një kthim fitimesh relativisht më të lartë23. Për më tepër, Kina shërben si platformë për eksporte në pjesën tjetër të Azisë Lindore, rajoni ekonomik më dinamik në botë. Është e vërtetë se rritja e Kinës në zinxhirin e vlerës në prodhimin e makinerive do krijojë konkurencë për industrinë gjermane; por teorikisht, bashkëpunimi në fushën e transportit elektrik nuk mund të përjashtohet (në të kundërt, kontrolli i Big Tech përmes platformave dhe rrjeteve digjitale do shtrihet mbi industrinë gjermane të automobilëve, duke e "detyruar" të bëhet më e gjelbër).

Në këto kushte, nuk është rastësi që Scholz ka vizituar 2 herë Pekinin që prej shkurtit 2022, herën e fundit këtë prill bashkë me një delegacion përfaqësuesish të biznesit të madh. The Global Times, burimi zyrtar kinez për marrëdhëniet ndërkombëtare, citonte drejtorin e Institutit Schiller kur thoshte se: "Do ishte vetëvrasje për Gjermaninë po të ndiqte sugjerimet për neutralizimin e rriskut (de-risking)"24.

Neutralizimi i riskut (de-risking) është termi i sheqerosur përdorur nga Presidenti i Komisionit Evropian për politikën e administratës Biden për shkëputjen ekonomike nga Kina25. Duke marrë si shembull investimet kineze në Evropë në sektorin e makinave elektrike, Komisioni po publikon një seri dokumentash dhe masash të një natyre proteksioniste, në emër të "sovranitetit teknologjik" dhe "sigurisë ekonomike"26. Megjithatë, deri më sot përpjekjet për të kontrolluar investimet e jashtme Evropiane në Kinë, nën presionin e Shteteve të Bashkuara (ku ato për çipet, si në rastin e kompanisë holandeze ASML,janë tashmë në fuqi), kanë dështuar falë oponencës së industrisë gjermane27. Pritet të shohim zhvillime të reja në këtë front, ashtu si dhe në industrinë e armëve28.

Pikëpamje

Për ta përmbledhur, ajo që në sytë e atlanticistëve duket një si ndërvarësi e qëndrueshme ekonomike (dhe rrjedhimisht gjeopolitike) mes SHBA dhe Evropës, kundër rrezikut euro-aziatik, fsheh asimetri të thella forcash dhe rivalitete konkuruese që potencialisht mund të jenë parandjellëse përplasjesh madhore - ndër të tjera edhe në frontin financiar dhe monetar (kujtojmë që kriza evropiane e viteve 2010 u shkaktua kryesisht nga ofensiva financiare amerikane29). Në veçanti, industria gjermane - megjithëse e ndërlidhur me tregjet amerikane si në investime ashtu dhe ne eksporte - nuk mund të heqë dorë nga lidhjet gjithmonë e më të ngushta me tregjet kineze. Në të njejtën kohë, situata e favorshme Lindje-Perëndim, të cilën deri më sot e ka shijuar më së miri, po ndryshon. Hijet e një shkëputjeje ekonomike nga Kina po shtrihen progresivisht mbi gjithë Evropën.

Kapitalizmi amerikan mbetet zemra e tregut global, pozicion që e fitoi pas 2 luftërave botërore. Që prej atëhere ka mundur thjesht të frenojë, dhe ndonjëherë të zhbëjë përkohësisht, ngadalësimin gradual të procesit të akumulimit duke ja hedhur barrën e krizave dhe rimëkëmbjes aktorëve shtetërore rivale (qofshin këta "miq" apo armiq) në forma dhe kontekste të ndryshme: në vitet 1970 vendeve të Evropës Perëndimore (shkëputja e dollarit nga ari dhe kriza e naftës), më pas në vitet 80-90 Japonisë (rivlerësimi i imponuar i jenit), dhe përsëri Evropës pas krizës së 2008. Ky është funksioni i "super-imperializmit" amerikan30. Tani është rradha e Kinës, një vend jashtë kampit imperialist, aftësia e së cilës për akumulim është bërë qenësore për stabilitetin e kapitalizmit global. Për Uashingtonin, kontradikta qëndron mes nevojës për të përvetësuar mbivlerën prej këtij vendi (si prej çdo vendi tjetër) dhe rrezikut të fragmentimit të sistemit botëror. Ky çglobalizim eventual, cilado qoftë forma që do të marrë, do duhet të kalojë përmes ringjalljes së rivaliteteve të brendshme në perëndim, si dhe brenda vetë BE-së, diçka që tashmë duket në horizont31. Në këtë front të fundit, risia është se Uashingtonit i duhet të kontestojë apo të limitojë edhe atë pak hapësirë që i ishte lënë imperializmit (të nënrenditur) evropian, dhe mungesa e perspektivës së një rimëkëmbjeje të shpejtë në dobi të "të gjithëve" bën edhe më të pashmangshëm përkeqësimin e gjëndjes së klasave punëtore në perëndim.

Brenda Evropës, interesat rivale po shkojnë drejt përplasjes, duke përfshirë dhe ato subjekte apo klasa shoqërore që nuk kanë asgjë për të fituar nga një lufë e imponuar nga Uashingtoni. Përveç faktorëve të përmendur më sipër, evropianët - jo vetëm sektorët e borgjezisë, por dhe vetë popujt - i druhen idesë se pa umbrellën e NATO-s, dhe pa i paguar haraçin Uashingtonit, privilegji i begatisë së përgjithshme në perëndim zor se do i rezistonte aspiratave të jugut global. Barra sa vjen e bëhet më e rëndë në kuadër të shpenzimeve ushtarake, borxhit publik në rritje, shkurtimeve në shërbime publike, inflacionit dhe hijeve të luftës.

Në mos daltë situata nga kontrolli - gjë që nuk mund të përjashtohet - i vetmi zhvillim që mund ta zhbllokojë situatën është një mobilizim shoqëror në disa prej vendeve kryesore evropiane. Lufta në Ukrainë e ka ngritur lart stekën e shkatërrimit, dhe kjo mund të nxisë një kundërreaksion, me gjasa neo-populist (pra me natyre ndërklasore), dhe me shpresë me karakteristika anti-amerikane. Kjo bëhet edhe më e mundur në rastin e një kolapsi në Kiev: kriza politike që do pasonte mes klasave sunduese "të pareformueshme" evropiane do prekte si raportet me Uashingtonin ashtu edhe raportet me klasat punëtore dhe stabilitetin brenda BE. Në një skenar të tillë, debatet e disa viteve më parë pro apo kundër euros - që përqendroheshin ekskluzivisht mbi përgjegjësitë e Gjermanisë, por ishin të verbra ndaj strategjive të anglosferës, të cilat janë shumë më deçizive për fatin e euros - do ishin të tejkaluara, dhe do gjendeshim pak më pranë nyjeve përcaktuese të situatës aktuale botërore.

Një faktor vendimtar do jetë raporti mes zërave "reformistë" që vijnë nga jugu global në mbështetje të një rendi të ndryshëm ndërkombëtar, dhe reformizmit politik e sindikalizmit të eklipsuar në perëndim; eklips që s'është aspak i rastësishëm. Në të njejtën kohë gjasat e një konflikti klasor domethënës do jenë gjithmonë e më shumë të ndërvarura me zhvillimet gjeopolitike, në kuadrin e një trendi të përgjithshëm drejt konfliktit ushtarak të imponuar nga perëndimi. Një gjë duket e sigurt: asnjë lloj konflikti klasor nuk mund të lindë nëse vendet perëndimore, veçanërisht Shtetet e Bashkuara - nyja qendrore e zinxhirit imperialist - nuk gjenden përballë vështirësive serioze ekonomike apo një goditjete gjeopolitike. Forma, hapat dhe trajektorja e zhvillimit të një konflikti të tillë nuk mund të shtjellohen më tej në këtë moment.